Flash News

Rajoni

Vdekja e tre shqiptarëve në Athinë, ky është skenari kryesor që po hetojnë autoritetet greke

4-6ab811e28897e-1024x590.jpg

Hetimet për shpërthimin vdekjeprurës në Plaka të Athinës, ku humbën jetën gjashtë persona, janë përqendruar te kati i dytë i ndërtesës dhe instalimi i gazit natyror. Ekspertët po përpiqen të përcaktojnë pikën e saktë nga ku dyshohet se ka nisur rrjedhja që çoi në shpërthimin dhe zjarrin tragjik.

Sipas mediave greke, pas përfundimit të operacionit të kërkim-shpëtimit në rrënojat e ndërtesës në rrugën Lysikratous, hetimet tashmë janë përqendruar te zbardhja e shkaqeve të shpërthimit.

Një ekip prej rreth 10 oficerësh të specializuar nga Divizioni i Krimeve të Zjarrvënieve po kryen këqyrjen e vendit të ngjarjes, ndërsa po dokumentohen dhe mblidhen prova që mund të ndihmojnë në përcaktimin e origjinës së shpërthimit.

Vëmendja kryesore është te apartamenti në katin e dytë, ku jetonte një çift i moshuar. Sipas të dhënave paraprake, aty dyshohet se ka ndodhur shpërthimi më i fuqishëm. Ky apartament ishte gjithashtu i vetmi në ndërtesën trekatëshe që, sipas informacioneve të deritanishme, kishte furnizim autonom aktiv me gaz natyror.

Ekspertët po analizojnë tubacionet dhe pjesët e instalimit të gazit për të përcaktuar nëse një rrjedhje në rrjetin e brendshëm ka shkaktuar shpërthimin. Ky mbetet skenari kryesor i hetuesve, por ende nuk ka një përfundim zyrtar.

Ndërkohë, mundësia e një shpërthimi të shkaktuar nga bombol propani po vlerësohet më pak e mundshme, pasi deri tani nuk është gjetur ndonjë bombol apo provë që ta mbështesë këtë pistë. Gjithashtu, nuk janë konstatuar rrjedhje gazi nga ndërtesat fqinje drejt objektit ku ndodhi tragjedia.

Një tjetër element i rëndësishëm për hetimin janë rezultatet e ekspertizave mjeko-ligjore dhe analizave toksikologjike të viktimave. Sipas ekspertit të zjarrfikësve Michael E. Avgouleas, këto rezultate, të ndërthurura me provat teknike dhe identifikimin e pikës së rrjedhjes, pritet të ndihmojnë në përcaktimin e rrethanave të sakta që çuan në shpërthimin dhe zjarrin.

Përveç shkaqeve të drejtpërdrejta të ngjarjes, tragjedia ka rikthyer në vëmendje edhe çështjet e sigurisë në përdorimin e gazit natyror dhe veçanërisht në banesat që jepen me qira për periudha të shkurtra.

 

Të fundit