Flash News

E-TJERA

Ish-ministrja e Ramës me mesazh kritik për qeverinë: Kërkesa për largimin e kryeministrit nuk mund të shpërfillet

Ish-ministrja e Ramës me mesazh kritik për qeverinë: Kërkesa

Ish-ministrja socialiste Ermelinda Meksi ka përcjellë një mesazh kritik ndaj qeverisjes së Edi Ramës, në një moment kur vendi po përballet me protesta dhe kërkesa për largimin e kryeministrit. 

Meksi thekson se pakënaqësia qytetare nuk mund të shpërfillet dhe se politika duhet të përballet me realitetin.

“Asnjë krizë e rëndë nuk zgjidhet duke mohuar problemin, duke shpërfillur pakënaqësinë apo duke vendosur interesa të ngushta mbi interesin e vendit. Nevojitet guxim politik për t’u përballur me realitetin dhe për të gjetur një rrugëdalje që i shërben vendit”, shkruan Meksi, duke nënvizuar se stabiliteti nuk sigurohet përmes heshtjes, por duke adresuar shkaqet e zemërimit qytetar.

Një nga mesazhet më të drejtpërdrejta të ish-ministres lidhet me kërkesën për largimin e kryeministrit. “Kërkesa për largimin e Kryeministrit nuk mund të shpërfillet dhe as të bëhet shkak për përplasje të mëtejshme”, shprehet ajo.

Ish-ministrja u bën thirrje drejtuesve politikë, deputetëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile të hapin një proces të vërtetë konsultimi dhe dialogu, ku të dëgjohen edhe shqetësimet e studentëve.

“Shqipëria është mbi çdo individ, post apo parti. Asnjë pushtet nuk vlen më shumë se paqja sociale, dinjiteti i qytetarëve dhe e ardhmja e vendit”, përfundon Meksi.

 

 

Të fundit