Flash News

Ditari i Opozitës

Vdekja e Mladiç, Berisha: Vuçiç e mbështeti, dikur kërkonte strehim për “kasapin e Bosnjës”

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar përmes një postimi në Facebook pas vdekjes së ish-komandantit të serbëve të Bosnjës, Ratko Mladiç, i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Berisha shkruan se vdekja e “kasapit të Bosnjes” në spitalin e Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë duhet të shërbejë si një kujtesë për krimet e kryera gjatë luftës në Bosnjë.

Kryedemokrati përmend masakrën e Srebrenicës, ku u vranë më shumë se 8 mijë burra dhe djem boshnjakë, si dhe rrethimin e Sarajevës, duke e cilësuar Mladiçin përgjegjës për disa prej krimeve më të rënda të luftës në Bosnjë.

Berisha shkruan se bashkëpunëtorë të Vuçiçit, duke përfshirë Aleksandar Vulinin, kanë kërkuar që Mladiçi të varrosej me nderime shtetërore në Beograd.

REAGIMI:

Miq, një zëdhënës i OKB njoftoi këto ditë se Ratko Mladić, kasapi i gjenocidit të Srebrenicës, vdiq në një spital të Gjykatës Ndërkombëtare të OKB në Hagë. Ratko Mladić është i dënuar për jetë për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte për masakrën e vitit 1995 në të cilën të paktën 8,000 djem dhe burra myslimanë u vranë në Srebrenicë, një “zonë të mbrojtur” nga OKB-ja në Bosnjë.

Kjo masakër konsiderohet mizoria më e rëndë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Mladić udhëhoqi bombardimin me artileri për tre vite me rradhë të Sarajevës së rrethuar nga ushtria serbe duke vrarë kështu në kryeqytetin e Bosnjës së paku 10000 fëmijë, gra dhe burra të paarmatosur.

Shpirti në ferr i kasapit të Bosnjës është urimi i njerëzve të qytetëruar në mbarë botën.

Por qëndrim tjetër ka Aleksandër Vučić dhe bashkëpunëtorët e tij për vdekjen Mladić. Ndërkohë që bashkëpunëtorë të tij si Vulin, kërkon varrosjen e tij me nderime shtetërore në Beograd, Vuçiç në mënyrë të përsëritur madje edhe një javë para vdekjes sulmoi Hagën për trajtim jo njerëzor dhe të papërgjegjshëm dhe kërkoi trajtimin e tij në spitale në Beograd.

Miq, nuk duhet harruar se në kohën kur idhull i Vučić, komandanti xhelat i popullatës civile myslimane në Bosnjë, Ratko Mladić fshihej si mi nga drejtësia ndërkombëtare, i tmerruar nga gjenocidi dhe krimet kundër njerëzimit që kishte kryer, një i ri nacionalist ekstremist serb mori famë me nismën e tij një “shtëpi për Mladon”, nismë me të cilën ai ftonte serbët t’i ofronin një strehim të sigurt ku të fshihej nga Gjykata e Hagës, pra një vrimë miu, heroit të tij, gjeneralit monstër Ratko Mladić. Ky i ri nismëtar i vrimës së miut për Mladicin që kërkonte të pengonte drejtësinë ndërkombëtare ishte vetë Aleksander Vučić.

 

Të fundit