Flash News

Bota

Uragani Isaias godet SHBA-në, mbi 850 mijë banesa pa energji dhe një viktimë

Uragani Isaias godet SHBA-në, mbi 850 mijë banesa pa energji dhe

Mbi 850 mijë banesa kanë mbetur pa energji elektrike në Shtetet e Bashkuara pas kalimit të uraganit Isaias, i cili goditi bregdetin e Floridës. Stuhia ka shkaktuar dëme të konsiderueshme, ndërsa një grua humbi jetën në kontenë Escambia, pasi një pemë u rrëzua mbi banesën e saj.

Vdekja u konfirmua nga sherifi i kontesë, Chip Simmons, përmes një videoje të publikuar në Facebook. Ndërkohë, autoritetet vijojnë të vlerësojnë dëmet dhe të punojnë për rikthimin e energjisë elektrike në zonat e prekura.

Isaias ishte uragani i parë i sezonit të Atlantikut për vitin 2026 dhe arriti fillimisht kategorinë e tretë, me erëra të qëndrueshme deri në 193 kilometra në orë. Përpara se të mbërrinte në tokë pranë Destinit, në Florida, rreth orës 21:40 të së premtes, stuhia u dobësua në kategorinë e dytë.

Edhe pse uragani ka humbur ndjeshëm fuqinë dhe erërat maksimale kanë zbritur në rreth 55 kilometra në orë, rreziku vijon për pjesë të Floridës, Xhorxhias dhe Karolinës.

Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, deklaroi se stuhia ka lënë pas dëme dhe mbetje të shumta. Sipas tij, këtë herë nuk ka qenë e nevojshme ndërhyrja e operacioneve të mëdha të kërkim-shpëtimit, si në raste të mëparshme kur ekipet janë përballur me situata tepër të rrezikshme.

Megjithatë, autoritetet kanë paralajmëruar se rreziku nga përmbytjet mbetet i lartë, ndërsa shirat e rrëmbyeshëm mund të shkaktojnë përmbytje të menjëhershme dhe urbane. Ekziston gjithashtu mundësia e formimit të tornadove në disa zona të juglindjes së SHBA-së.

Ndërprerjet e energjisë elektrike kanë prekur veçanërisht Floridën, Alabamën dhe Xhorxhian, ku autoritetet kishin shpallur gjendjen e jashtëzakonshme përpara mbërritjes së stuhisë.

Sipas të dhënave të publikuara nga faqet e monitorimit të rrjetit elektrik, rreth 428 mijë banesa në Florida, 325 mijë në Alabama dhe 125 mijë në Xhorxhia kanë mbetur pa energji. Në Florida, në orën 07:00 të mëngjesit sipas kohës lokale, rreth 448 mijë abonentë rezultonin pa energji elektrike.

Situata paraqitej veçanërisht e rëndë në disa konte të Floridës, ku ndërprerjet prekën 90% të abonentëve në kontenë Santa Rosa, 89% në kontenë Holmes dhe 86% në kontenë Uashington.

Për përballimin e pasojave, më shumë se 16 mijë punonjës të mirëmbajtjes së rrjetit elektrik ishin mobilizuar përpara stuhisë. Ata nisën riparimet që mbrëmjen e së premtes, duke u përqendruar fillimisht në zonat më të dëmtuara.

Të fundit