Flash News

Kosova

Specialja, Kuvendi i Kosovës shqyrton nesër nismën e PDK-së për ndryshimin e ligjit

Specialja, Kuvendi i Kosovës shqyrton nesër nismën e PDK-së

Kuvendi i Kosovës pritet të shqyrtojë nesër në orën 09:00 nismën për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara. Çështja është renditur si pika e parë në agjendën e seancës së thirrur nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.

Nisma është dorëzuar nga Partia Demokratike e Kosovës më 21 shtator, pak ditë pas vendimeve të Gjykatës Speciale ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së.

Ndryshimet e propozuara prekin juridiksionin e Dhomave të Specializuara dhe parashikojnë që rastet që konsiderohen jashtë kompetencës së tyre të mund të procedohen në Kosovë.

Projektligji përfshin edhe mundësinë e ankimit në Gjykatën Supreme të Kosovës, ndërsa propozohet që dënimi maksimal të jetë 15 vjet. Në nismë parashikohet gjithashtu që dënimet të mund të vuhet në Kosovë dhe që personat e dënuar nga Dhomat e Specializuara të mund të përfitojnë nga falja presidenciale.

Shqyrtimi i kësaj nisme vjen në një moment të ndjeshëm politik në Kosovë, teksa Kuvendi ndodhet pranë përfundimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit. Deri tani, partitë politike nuk kanë arritur një marrëveshje për zgjidhjen e ngërçit.

Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar se është i gatshëm të zhvillojë bisedime për tejkalimin e situatës, ndërsa si një prej kërkesave kryesore të partisë së tij ka renditur miratimin përfundimtar të ndryshimeve për Dhomat e Specializuara.

Nëse presidenti nuk zgjidhet deri më 6 tetor, Kuvendi shpërndahet dhe Kosova shkon në zgjedhje të reja parlamentare.

Të fundit