Flash News

Kosova

Si e dinte Macron? Avokati i Thaçit ngre pikëpyetje pas deklaratës së Vuçiçit

Si e dinte Macron? Avokati i Thaçit ngre pikëpyetje pas

Avokati i Hashim Thaçit, Luka Misetiç, ka ngritur pikëpyetje mbi një deklaratë të presidentit serb Aleksandar Vuçiç lidhur me takimin e tij me Emmanuel Macron në Paris, më 10 shtator.

Misetiç ka publikuar një video të Vuçiçit, në të cilën presidenti serb thotë se gjatë takimit me një “lider evropian dhe botëror” ishte informuar se Hashim Thaçi do të merrte një “dënim të rëndë” nga Gjykata Speciale.

Avokati lë të kuptohet se personi për të cilin flet Vuçiç është presidenti francez Emmanuel Macron. Në një reagim në rrjetin social X, Misetiç pyet se si mund të ishte në dijeni Macron për rezultatin e çështjes disa ditë përpara shpalljes së aktgjykimit dhe pse kjo temë do të ishte diskutuar mes presidentit francez dhe atij serb.

“Si e dinte Macroni rezultatin e aktgjykimit të paktën gjashtë ditë përpara dhe pse Macroni po fliste me Vuçiqin për këtë çështje, janë pyetje që mbeten për t’u përgjigjur”, shkruan Misetiç.

Aktgjykimi ndaj Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit u shpall më 16 shtator, me një total prej 81 vitesh burgim.

Çështja ka shkaktuar reagime të forta në Kosovë, ku vijojnë protestat kundër vendimit të Dhomave të Specializuara. Ndërkohë, gjatë vizitës në Prishtinë më 1 tetor, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se aktgjykimi është dhënë nga një institucion i pavarur gjyqësor dhe se mandati i tij duhet respektuar. Ajo theksoi gjithashtu se “askush dhe asgjë” nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës.

Pikëpyetjet e Misetiçit lidhen pikërisht me pretendimin se Vuçiç ishte informuar për një “dënim të rëndë” për Thaçin përpara shpalljes së aktgjykimit. Deri tani, nuk ka një sqarim publik nga Macron që të konfirmojë apo të hedhë poshtë këtë pretendim.

Të fundit