Flash News

Rajoni

Shtyhet rruga e Malit të Zi drejt BE-së? 5 shtete kërkojnë verifikime për kapitujt e negociatave

image (1).webp

Mali i Zi rrezikon të përballet me një shtyrje të re në procesin e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, pasi disa vende anëtare ende nuk kanë dhënë dritën jeshile për mbylljen e kapitujve të rinj.

Situata vë në pikëpyetje objektivin e Podgoricës për të përfunduar negociatat deri në fund të vitit dhe për t’i hapur rrugë anëtarësimit në BE në vitin 2028, raporton N1.

Sipas burimeve diplomatike jozyrtare në Bruksel, Holanda ka kërkuar një pauzë në procesin e mëtejshëm të integrimit të Malit të Zi, duke argumentuar se nevojiten analiza shtesë dhe zbatim më i qëndrueshëm i standardeve evropiane. Kërkesës i janë bashkuar edhe Kroacia, Estonia, Lituania dhe Letonia.

Nga ana tjetër, një zyrtar i Këshillit të BE-së ka deklaruar se shtyrja lidhet kryesisht me mungesën e kohës për përfundimin e procedurave kombëtare.

Megjithatë, sipas burimeve diplomatike të Radio Evropës së Lirë, arsyet e rezervave të disa vendeve nuk janë vetëm teknike.

Një prej çështjeve që ka ndikuar në qëndrimet e disa shteteve anëtare lidhet me reagimet e politikanëve malazezë pas vdekjes dhe gjatë varrimit të Ratko Mlladiqit, ish-komandantit serb të Bosnjës, i dënuar për gjenocid dhe krime lufte nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë.

Qeveria kroate ka dënuar më herët ngushëllimet e kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, pas vdekjes së Mlladiqit.

Sipas burimeve diplomatike, disa vende të BE-së kërkojnë verifikime shtesë për përmbushjen e kritereve kryesore, ndërsa mes 27 shteteve anëtare ka ende dallime lidhur me avancimin e procesit.

Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që kapituj të rinj të mbyllen në fund të javës së ardhshme. Data zyrtare e konferencës ndërqeveritare dhe miratimi nga të gjitha vendet anëtare ende nuk janë konfirmuar. Nëse nuk arrihet marrëveshje, mundësia e radhës mund të jetë në tetor.

 

Të fundit