Flash News

POLITIKOFF

Shitet për 924 mijë dollarë, Zuckerberg mban në dorë orën e krijuar nga një shqiptar

Shitet për 924 mijë dollarë, Zuckerberg mban në dorë

Një pyetje e thjeshtë për orën që mbante në kyç i ka dhënë Mark Zuckerberg mundësinë të përmendë një emër shqiptar në një skenë ku luksi matet me qindra mijëra dollarë. Kreu i Meta-s nuk foli për Rolex apo Patek Philippe, por për Rexhep Rexhepin, orëndreqësin e lindur në Kosovë që po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje në elitën botërore të orëve luksoze, shkruan Icon Style.

“Oh, është një krijim i Rexhepit. Është fantastike!”, u përgjigj Zuckerberg kur u pyet për orën e tij, gjatë një serie pyetjesh të shkurtra përpara konferencës vjetore të Meta-s.

Pas mbiemrit që përmendi qëndron një histori shqiptare suksesi në industrinë zvicerane të orëndreqësisë. Rexhep Rexhepi është themeluesi i markës Akrivia dhe një prej emrave të njohur të orëndreqësisë së pavarur, një sektor ku mjeshtëria artizanale, prodhimi i kufizuar dhe rrallësia e modeleve i kthejnë disa ora në objekte koleksionimi me vlera marramendëse.

Ora që lidhet me emrin e Rexhepit është Chronomètre Contemporain I, model i prezantuar në vitin 2018. Versioni në ar rozë, me numërues të zi të realizuar përmes teknikës tradicionale grand feu, kushtonte fillimisht rreth 55 mijë franga zvicerane.

Vlera e këtij modeli në tregun e koleksionistëve ka shkuar shumë më lart. Një ekzemplar është shitur në ankand për rreth 924 mijë dollarë, duke treguar se sa shumë mund të rritet vlera e krijimeve të rralla të orëndreqësisë së pavarur.

Por kjo nuk do të thotë se Zuckerberg ka paguar këtë shumë për orën që mban. Shifra i referohet një shitjeje në ankand dhe nuk përcakton automatikisht vlerën e ekzemplarit të tij.

Modeli fitoi gjithashtu në vitin 2018 çmimin për orën më të mirë për meshkuj në Grand Prix d’Horlogerie de Genève, një prej konkurseve më prestigjioze të industrisë.

Rexhep Rexhepi u largua nga Kosova drejt Gjenevës që në fëmijëri. Në moshën 15-vjeçare nisi formimin profesional te Patek Philippe, përpara se të krijonte rrugën e tij në një industri ku dominojnë emra me traditë shumëvjeçare.

Në moshën 25-vjeçare themeloi markën Akrivia, duke ndërtuar një identitet të veçantë përmes prodhimit të kufizuar, mekanizmave të punuar me dorë dhe vëmendjes ndaj detajeve.

Pikërisht ky kombinim e ka kthyer Rexhepin në një emër të kërkuar nga koleksionistët ndërkombëtarë.

Të fundit