Flash News

Kosova

Sherr mes të miturve në Prizren, qëllohet për vdekje me thikë 15-vjeçari

IMG_5742-752x440.jpeg

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Prizrenin gjatë natës së mbrëmshme ku një 15-vjeçar ka humbur jetën pasi është sulmuar me thikë.

Policia e Kosovës bëri me dije se rreth orës 23:45 ka marrë njoftim për incidentin. Patrulla policore ka mbërritur në vendngjarje, ku ka gjetur ekipet e Emergjencës që po i jepnin ndihmën e parë të miturit.

15-vjeçari është transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Prizrenit, por, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë.

Pak më larg vendit të ngjarjes, policia ka identifikuar dhe arrestuar një tjetër të mitur, rreth 17 vjeç, i cili dyshohet se është autor i sulmit. Gjatë kontrollit ndaj tij është gjetur dhe sekuestruar edhe thika që dyshohet se është përdorur në ngjarje.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i viktimës është dërguar në IML për obduksion, ndërsa i dyshuari është ndaluar për 24 orë.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë.

Të fundit