Flash News

Bota

Shënohet një viktimë nga virusi i Nilit në Holandë

Një person ka humbur jetën në Holandë pas infektimit me virusin e Nilit Perëndimor, ndërsa autoritetet shëndetësore kanë konfirmuar rikthimin e rasteve të infeksionit në vend, për herë të parë që nga viti 2020.

Instituti Kombëtar Holandez për Shëndetin Publik dhe Mjedisin (RIVM) ka bërë të ditur se një person i infektuar me virusin është trajtuar në spital. Të dhënat e institutit sugjerojnë se në Holandë mund të jenë gjithsej tre persona të infektuar.

Nuk është bërë ende e qartë nëse personi që ka ndërruar jetë është një prej rasteve të konfirmuara. Autoritetet holandeze nuk kanë dhënë informacion të mëtejshëm rreth viktimës.

Virusi i Nilit Perëndimor transmetohet kryesisht te njerëzit përmes pickimit të mushkonjave të infektuara. Në shumicën e rasteve, infeksioni mund të kalojë pa simptoma ose me shenja të lehta, por në raste të rralla mund të shkaktojë komplikacione të rënda neurologjike dhe të rrezikojë jetën.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se rritja e temperaturave po krijon kushte më të favorshme për mushkonjat që bartin virusin dhe mund të ndikojë në zgjerimin e tij në Evropë.

Raste të virusit janë raportuar gjatë kësaj vere edhe në vende të tjera evropiane, përfshirë Greqinë dhe Italinë.

Të fundit