Flash News

Bota

Rrëshqiti dhe ra në det nga varka me vela/ Zhduket në Mesdhe 66-vjeçari spanjoll

Juan José Mutilba, biznesmen në pension nga Burgos, ra në det më 18 gusht, teksa ndodhej në një zonë detare mes Siçilisë dhe Greqisë. Autoritetet u njoftuan vetëm tre ditë më vonë, më 21 gusht, pasi partnerja e tij, e cila ndodhej në varkë, nuk mundi ta ndalonte mjetin lundrues dhe nuk kishte mundësi të komunikonte me autoritetet.

Sipas djalit të tij, Sergio Mutilba, 66-vjeçari ishte duke peshkuar një ton kur rrëshqiti në gjakun e peshkut dhe përfundoi në det. Ai i bërtiti partneres së tij që të ndalonte varkën, por ajo, e përfshirë nga paniku, nuk mundi ta manovronte atë.

Familja beson se fakti që varka ishte e re dhe më e madhe se ajo që çifti kishte përdorur më parë mund të ketë ndikuar në situatë. Juan José kishte përvojë të madhe në lundrim, ndërsa partnerja e tij nuk ishte mësuar ende me përdorimin e mjetit.

Partnerja e 66-vjeçarit kaloi tre ditë e vetme në det, ndërsa varka vazhdonte të lundronte. Ajo ndodhet tashmë në Madrid, ku po qëndron pranë motrës së saj dhe ka marrë edhe ndihmë mjekësore e psikologjike.

Sergio, i cili kaloi disa ditë në Pylos, ku prindërit e tij pritej të mbërrinin pas udhëtimit nga Siçilia, tregon se nëna e tij ndodhet në gjendje të rënduar psikologjike.

“Ajo donte të qëndronte atje derisa të gjendej babai im. Nuk mund ta kuptojë”, tregon ai, duke shprehur shqetësimin për tre ditët që nëna e tij kaloi e vetme në det.

Italia dhe Greqia koordinojnë kërkimet

Kërkimi për Juan José po koordinohet nga autoritetet italiane dhe greke, ndërsa familja merr informacion përmes shërbimit spanjoll të shpëtimit detar, Salvamento Marítimo.

Sipas Sergio-s, autoritetet u kanë thënë se zona është kontrolluar disa herë dhe se familja do të marrë përditësime të rregullta mbi operacionin.

Megjithatë, familja kërkon që të angazhohen më shumë burime për gjetjen e 66-vjeçarit.

“Ne duam që të vazhdojnë ta kërkojnë. Është shumë e vështirë, por kemi shpresë”, tha Sergio për median spanjolle “El País”.

Të fundit