Flash News

Ditari i Opozitës

PS kërkon fazën e dytë të Territoriales, Tabaku: Fshitë 15 bashki me një të rënë të lapsit, tani doni bashkëpunim

PS kërkon fazën e dytë të Territoriales, Tabaku: Fshitë

Partia Socialiste kërkon të nisë fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale, duke propozuar ngritjen e një Komisioni të Posaçëm Parlamentar me mandat 9-mujor. Por nisma e mazhorancës ka hasur kundërshtimin e deputetëve demokratë.

Jorida Tabaku akuzoi socialistët se, pasi miratuan një hartë të re territoriale pa konsensus, po kërkojnë tani bashkëpunimin e opozitës për vijimin e procesit.

Gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, deputetja demokrate vuri në pikëpyetje seriozitetin e nismës së re, duke kujtuar se objektivat e komisionit të propozuar ishin parashikuar edhe më herët, por mazhoranca nuk i kishte mbështetur kur opozita kërkoi vijimin e punës.

“Të jemi seriozë për rolin tonë si deputetë. Nuk besoj se ka vlerë të diskutojmë për të bërë një punë që e kishim për detyrë ta bënim, por që nuk u bë. Tani po ngrihet një komision tjetër, pasi komisioni i parë shërbeu vetëm për të vizatuar hartën. Kjo kërkesë është kopje e asaj që parashikohej në objektin e vendimit të Kuvendit të tetorit të vitit të kaluar. Atëherë ju votuat kundër, ndërsa tani e sillni sërish për votim dhe jeni pro. Kjo nuk është serioze”, deklaroi Tabaku.

Tabaku tha se reforma duhej të prodhonte një marrëveshje mes dy forcave politike dhe të shoqërohej me ndryshime ligjore që do të përmirësonin financat publike, shërbimet për qytetarët dhe kapacitetet e njësive vendore, si dhe do të ndihmonin në përfitimin nga fondet e kohezionit.

“Fshini 15 bashki me një të rënë të lapsit. Humbët shansin për konsensus, sepse ju nuk doni reformë, por një hartë elektorale. Thonë atë që nuk bëmë për 9 muaj ta bëjmë tani. Procesi kërkonte që produkti i miratuar javën e kaluar të ishte konsensual, në mënyrë që të vazhdohej me një paketë ligjore që do të synonte shëndoshjen e financave publike, përmirësimin e shërbimeve për qytetarët, rritjen e kapaciteteve dhe përfitimin nga fondet e kohezionit. Reforma që kemi bërë, zoti kryetar, është e njëjtë me atë të vitit 2015. Ajo prek vetëm një nivel të qeverisjes”, u shpreh deputetja demokrate.

Të fundit