Flash News

Bota

Përmbytjet në kufirin Nepal-Kinë, 168 viktima dhe mbi 1,300 të zhdukur

Screenshot 2026-08-27 131042.png

Mbi 1,300 persona vijojnë të jenë të zhdukur pas përmbytjeve shkatërruese që goditën zonat kufitare mes Nepalit dhe Kinës, ndërsa bilanci i viktimave ka arritur në 168. Mes personave të zhdukur janë edhe qindra turistë të huaj, shkruan CNN.

Në Nepal, autoritetet kanë konfirmuar 165 viktima dhe 826 të zhdukur. Numri i të huajve që nuk janë lokalizuar është veçanërisht shqetësues, me rreth 300 shtetas indianë të raportuar të zhdukur, si dhe 54 amerikanë, 34 australianë, 33 britanikë, 17 malajzianë dhe tetë koreano-jugorë.

Në anën tjetër të kufirit, autoritetet kineze raportojnë tre viktima dhe 558 persona të zhdukur në rrethin Gyirong të Tibetit, një zonë e rëndësishme për lëvizjet turistike dhe trafikun mes Kinës dhe Nepalit.

Dyshimet e para për shkakun e katastrofës lidhen me një fenomen të fuqishëm natyror në Himalaje. Analizat satelitore sugjerojnë se një masë e madhe akulli mund të jetë shkëputur nga një akullnajë dhe, së bashku me shkëmbinj, ka rënë në lumin Bhotekoshi. Përplasja ka shkaktuar një rritje të menjëhershme të prurjeve dhe përmbytje të fuqishme në zonat më të ulëta.

Ekipet e shpëtimit po përdorin helikopterë dhe dronë për të kërkuar personat e zhdukur dhe për të evakuuar banorët e bllokuar. Ushtria nepaleze është angazhuar në operacion, ndërsa 114 persona janë evakuuar deri tani me mjete ajrore.

Përmasat e dëmeve janë të mëdha. Përmbytjet kanë shkatërruar 19 ura dhe kanë dëmtuar rreth 40 kilometra të një autostrade kryesore, duke ndërprerë lidhjet rrugore dhe duke vështirësuar aksesin e ekipeve të emergjencës.

Qeveria nepaleze ka shpallur tre distrikte, Rasuwa, Nuwakot dhe Dhading, si zona të krizës nga fatkeqësitë për një periudhë tre mujore, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë.

Të fundit