Flash News

Bota

Pas dy incidenteve të rënda në shkolla, një tjetër sulm trondit Poloninë

Pas dy incidenteve të rënda në shkolla, një tjetër sulm

Tre persona u plagosën të shtunën pas një sulmi me thikë në një kolegj të arsimit të lartë në Varshavë, kryeqytetin e Polonisë. Autori i dyshuar është një student 21-vjeçar, ndërsa të plagosurit janë dy vajza 17-vjeçare dhe një grua 24-vjeçare.

Sipas zëdhënësit të policisë, Jakub Filipiak, njëri prej të plagosurve u dërgua në spital me lëndime që nuk rrezikonin jetën, ndërsa dy të tjerët nuk kishin nevojë për trajtim spitalor.

Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve PAP, tri gratë kishin shkuar në kolegj për të dorëzuar dokumentet e regjistrimit. Raportohet se i dyshuari dhe personat e plagosur nuk njiheshin me njëri-tjetrin.

Sulmi në Varshavë është incidenti i tretë i rëndë i raportuar brenda pak ditësh në institucionet arsimore polake.

Të enjten, një ish-nxënës 15-vjeçar vrau një punonjës të pastrimit dhe plagosi dy mësues në një shkollë fillore në Leszczydol-Nowiny, në verilindje të Varshavës. Ndërsa të mërkurën, një 19-vjeçar plagosi dhjetë persona, përfshirë veten, në një shkollë në Ostrołęka, në veri të kryeqytetit.

Pas këtyre ngjarjeve, autoritetet polake kanë shtuar masat e sigurisë në institucionet arsimore. Sipas Reuters, mijëra efektivë policie vizituan shkolla në të gjithë vendin të premten, më 9 tetor, për të qetësuar nxënësit dhe stafin arsimor, mes shqetësimeve për mundësinë e incidenteve të tjera.

Të fundit