Flash News

Kosova

Ngërçi në Kosovë, PDK dhe AAK lërkojnë vazhdimin e seancës konstituive

img-4570-6a89570024f3e.jpeg

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës do të mblidhet sot në orën 11:00 në sallën e Kuvendit të Kosovës, në kuadër të përpjekjeve për të kërkuar vazhdimin e seancës konstituive dhe konstituimin e legjislaturës së re.

PDK njoftoi një ditë më parë se i ka drejtuar sërish kërkesë kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, që të thërrasë vazhdimin e seancës, duke iu referuar Kushtetutës, aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullores së Kuvendit.

Në këtë aksion pritet të marrë pjesë edhe AAK-ja. Deputetja e kësaj partie, Albana Bytyqi, deklaroi se deputetët e Aleancës do t’i bashkohen PDK-së në Kuvend, duke përsëritur qëndrimin se institucionet e reja duhet të formohen sa më shpejt.

Kriza për konstituimin e Kuvendit vijon prej javësh. Afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit përfundoi më 7 gusht, 30 ditë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve.

Në seancën e 6 gushtit, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, kërkoi më shumë kohë për bisedime lidhur me zgjedhjen e Presidentit, ndërsa e njëjta kërkesë u përsërit edhe në vazhdimin e seancës më 8 gusht.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, miratoi kërkesën për shtyrje, por që prej asaj dite nuk është thirrur një tjetër seancë.

Ndërkohë, përfaqësitë diplomatike të vendeve të huaja në Kosovë kanë bërë thirrje për tejkalimin e ngërçit politik dhe formimin e institucioneve, duke paralajmëruar për pasojat dhe humbjen e mundësive si pasojë e zgjatjes së krizës.

Të fundit