Flash News

Ditari i Opozitës

Muçollari godet Ramën e Veliajn: Bashkia e Tiranës, instrument i klaneve të Rilindjes

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Grigels Muçollari, ka reaguar për zhvillimet e fundit në Bashkinë e Tiranës, pas vendimit të kryebashkiakut Erion Veliaj për t’i tërhequr kompetencat kryetares së komanduar, Anuela Ristani.

Përmes një reagimi në Facebook, Muçollari e konsideron situatën një tjetër shembull të mënyrës se si, sipas tij, Bashkia e Tiranës është përdorur si mjet për interesa politike dhe përplasjet brenda pushtetit.

Sipas Muçollarit, ndërkohë që në Bashkinë e Tiranës vijon përplasja për drejtimin e institucionit, qyteti përballet me një sërë problemesh që lidhen drejtpërdrejt me jetën e qytetarëve.

Muçollari kritikon gjithashtu Partinë Socialiste dhe drejtuesit e saj, duke pretenduar se vëmendja e tyre është përqendruar te kontrolli politik i bashkisë dhe jo te problematikat e qytetit.

POSTIMI:

Ajo që po ndodh me Bashkinë e Tiranës është një tjetër dëshmi e dhimbshme se si ky qytet është trajtuar sipas një modeli të kapjes dhe shfrytëzimit të pushtetit, të kalkulimeve për të arritur më shumë, dhe jo si model i shërbimit.

Edhe pse në burg e me shumë akuza të rënda, Erion Veliaj dëshiron të thotë se është kryetar Bashkie, se ka pushtet dhe se duhet të llogaritet. Ai ka vendosur të shkarkojë drejtuesen e komanduar. Jam këtu, ka dashur të thotë Veliaj, sado që karriera e tij politike ka marrë fund.

Edi Rama, nga ana tjetër, mësohet se do të mbledhë sot udhëheqësit politikë të Tiranës, tani me një bela më shumë në kurriz, duke qenë se bashkia nuk ka drejtues.

Me siguri, shefi i Lali Erit do t’i tregojë sërish vendin, duke shpërfillur urdhrat apo firmat e tij nga qelia.

E gjitha kjo tregon se si kjo bashki po trajtohet prej kohësh vetëm si instrument pushteti dhe i kalkulimeve të klaneve të kupolës së Rilindjes.

Në asnjë moment nuk kemi parë një analizë, mbledhje, takim apo shqetësim të drejtuesve të kësaj bashkie, me në krye Ramën, për krizën e rëndë të mbetjeve, për ndotjen, për rrugët që kutërbojnë nga plehrat, për ujin që mungon, për shkollat që do të vijojnë të jenë me dy turne, për trafikun, për mungesën e parkimeve, për zjarret që gllabëruan kodrat e mbetura me gjelbërim, për ajrin e ndotur tej normave që vetëm përkeqësohet.

Lajmet që vijnë nga Tirana nuk kanë të bëjnë pra me këto që janë shërbime, që lidhen me qytetarin, me shqetësimet dhe cilësinë e jetës. Jo, lajmet janë për Bashkinë si pushtet, si instrument force, si lojë politike. Për bashkinë që shfrytëzohet për interesat personale të klaneve të Rilindjes.

Një model që duhet të marrë fund një herë e mirë. Tirana dhe qytetarët janë penalizuar në vite e mandate me radhë, duke e trajtuar bashkinë si katapultë për dikë e jo si zyrë shërbimi për të gjithë.

 

Të fundit