Flash News

Rajoni

Ligjvënësit amerikanë paralajmërojnë Vuçiçin: Lufto korrupsionin ose përballu me sanksione

SHBA-ja rrit presionin ndaj Beogradit. Dy ligjvënës amerikanë, një republikan dhe një demokrat, kanë paralajmëruar presidentin serb Aleksandar Vuçiç se dështimi në luftën kundër korrupsionit dhe vazhdimi i afrimit me Rusinë, Kinën dhe Iranin mund të sjellë pasoja nga Uashingtoni.

Republikani Joe Wilson dhe demokrati Bill Keating, të dy anëtarë të Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, kanë prezantuar një projektligj që synon vendosjen e sanksioneve dhe kufizimeve të vizave ndaj individëve që dëmtojnë proceset demokratike, paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Nisma amerikane vjen në një moment të ndjeshëm për Serbinë, ku prej muajsh vijojnë protesta të mëdha të drejtuara nga studentët kundër korrupsionit dhe qeverisjes së Vuçiçit. Protestat nisën pas shembjes së një tende në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, në nëntor 2024, ku humbën jetën 16 persona.

Protestuesit kanë akuzuar autoritetet serbe për korrupsion dhe keqmenaxhim në projektet e ndërtimit, duke kërkuar që përgjegjësit për tragjedinë të dalin para drejtësisë.

Duke argumentuar për projektligjin, Joe Wilson deklaroi se Serbia, sipas tij, është larguar nga standardet demokratike dhe është afruar me vende që konsiderohen kundërshtare të Shteteve të Bashkuara.

“Nën Presidentin Vuçiç, Serbia është larguar qëllimisht nga sundimi i ligjit dhe është afruar më shumë me armiqtë e lirisë si Putini, Partia Komuniste Kineze dhe regjimi terrorist në Teheran”, tha Wilson për The Hill.

Ligjvënësi republikan kritikoi gjithashtu mënyrën se si qeveria serbe ka reaguar ndaj protestave.

“Pavarësisht protestave të përhapura kundër korrupsionit, qeveria e Vuçiçit kërcënon të destabilizojë rajonin dhe më gjerë. Populli i Serbisë meriton më mirë”, u shpreh ai.

Në të njëjtën linjë, demokrati Bill Keating kërkoi që Serbia të bëjë hapa konkretë në luftën kundër korrupsionit dhe të frenojë ndikimin e Rusisë, Kinës dhe Iranit.

Të fundit