Flash News

Kosova

Krim i rëndë në Gjilan, dy të vrarë dhe një i plagosur, autori vetëdorëzohet

Krim i rëndë në Gjilan, dy të vrarë dhe një i

Një ngjarje e rëndë është regjistruar këtë të premte në fshatin Livoç i Ulët, në Komunën e Gjilanit, në Kosovë, ku dy persona, një burrë dhe një grua, rreth 30 vjeç, kanë humbur jetën si pasojë e të shtënave me armë zjarri.

Një person tjetër ka mbetur i plagosur dhe është dërguar për trajtim të mëtejshëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, Stacioni Policor në Gjilan ka marrë informacion për të shtëna me armë zjarri në këtë fshat. Njësitë policore dhe dy prokurorë të Shtetit kanë mbërritur në vendngjarje, ku kanë konstatuar se një burrë rreth 30 vjeç ishte gjetur i vrarë brenda një automjeti.

Ndërkohë, një grua e së njëjtës grupmoshë është dërguar pa shenja jete në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit. Sipas dyshimeve paraprake të policisë, edhe ajo është vrarë me armë zjarri nga i njëjti person i dyshuar.

Personi i tretë i plagosur ka marrë ndihmën e parë në urgjencën e spitalit në Gjilan dhe më pas është transferuar në QKUK, ku do të marrë trajtim të mëtejshëm mjekësor.

Sipas informacioneve fillestare, mes të dyshuarit dhe viktimave dyshohet se ka një lidhje familjare. Megjithatë, motivi i ngjarjes ende nuk është bërë i ditur.

Të fundit