Flash News

Kosova

Kosova në prag të një tjetër krize, sot skadon afati për zgjedhjen e Presidentit

Kosova në prag të një tjetër krize, sot skadon afati

Skadon sot, më 6 tetor, afati kushtetues 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës. Afati nisi më 8 gusht, në përfundim të periudhës së përcaktuar për konstituimin e Kuvendit, sipas interpretimit të Gjykatës Kushtetuese.

Deri në përfundim të ditës, Kuvendi duhet të zgjedhë kreun e ri të shtetit. Nëse kjo nuk arrihet, Kuvendi shpërndahet automatikisht dhe vendi shkon drejt zgjedhjeve të reja parlamentare.

Sipas përcaktimit të Gjykatës Kushtetuese, zgjedhjet duhet të mbahen brenda 45 ditësh nga shpërndarja e Kuvendit. Nëse shpërndarja ndodh sot, data e fundit kur mund të zhvillohen zgjedhjet është 15 nëntori.

Zgjedhja e Presidentit ka qenë në qendër të zhvillimeve politike gjatë javëve të fundit, por partitë politike nuk kanë arritur deri tani një marrëveshje për një kandidat që të sigurojë votat e nevojshme në Kuvend.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për afatet erdhi pas kërkesave të deputetëve të PDK-së lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë. Gjykata përcaktoi se afati për konstituimin e Kuvendit përfundoi më 8 gusht dhe se pikërisht nga kjo datë nisi të llogaritej periudha 60-ditore për zgjedhjen e Presidentit.

Pas zgjedhjeve të 7 qershorit, seanca konstituive e Kuvendit u hap më 6 gusht, por procesi u ndërpre dy herë. Albin Kurti nuk propozoi kandidatin për kryetar të Kuvendit, duke argumentuar se duhej të arrihej më parë një marrëveshje për zgjedhjen e Presidentit.

Më 8 gusht, kur përfundoi afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e ndërpreu sërish procesin. Lëvizja Vetëvendosje këmbënguli se seanca nuk duhej të vijonte pa një marrëveshje paraprake për Presidentin. Kuvendi u konstituua përfundimisht më 13 shtator.

Në përpjekje për të zgjidhur ngërçin politik, Kurti dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, njoftuan më vonë se kishin rënë dakord për kandidaturën e Bekim Sejdiut për postin e Presidentit. Kandidatura u kundërshtua nga gjashtë deputetë të LDK-së dhe Sejdiu më pas njoftoi tërheqjen e tij nga gara.

Zgjedhjet e 7 qershorit ishin zhvilluar në një tjetër klimë krize politike, të krijuar nga pamundësia e partive për të arritur marrëveshje për zgjedhjen e Presidentit.

Nëse edhe sot dështon zgjedhja e kreut të shtetit, Kosova mund të shkojë sërish në zgjedhje parlamentare. Ky skenar do të nënkuptonte zhvillimin e zgjedhjeve të katërta parlamentare brenda një periudhe prej dy vitesh.

Të fundit