Flash News

Kosova

Çfarë ndodh pas 6 tetorit? Haxhiu kërkon sqarim nga Gjykata Kushtetuese

Çfarë ndodh pas 6 tetorit? Haxhiu kërkon sqarim nga Gjykata

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar interpretim lidhur me ushtrimin e kompetencave presidenciale pas përfundimit të mandatit të saj gjashtëmujor, në rast se Kuvendi nuk arrin të zgjedhë presidentin e ri.

Kërkesa është dorëzuar më 5 tetor, një ditë para përfundimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit. Lajmi është konfirmuar nga Zyra e Presidentes në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

Sipas Zyrës së Presidentes, kërkesa është bërë në bazë të nenit 113, paragrafi 3, nënparagrafi 1 të Kushtetutës.

“Është kërkuar të përcaktohet se si dhe nga kush ushtrohen kompetencat e domosdoshme presidenciale pas përfundimit të periudhës gjashtëmujore, në rast se presidenti i ri ende nuk është zgjedhur”, thuhet në përgjigjen e institucionit.

Paqartësia për shpalljen e zgjedhjeve
Çështja bëhet veçanërisht e rëndësishme nëse Kuvendi dështon të zgjedhë presidentin deri më 6 tetor. Në këtë rast, sipas përcaktimeve kushtetuese, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Gjykata Kushtetuese kishte përcaktuar në mars se, nëse presidenti nuk zgjidhet brenda afatit, Kuvendi shpërndahet automatikisht, ndërsa zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Por mbetet një pikë e paqartë: kush do t’i shpallë zgjedhjet nëse vendi nuk ka një president të zgjedhur?

Kushtetuta ia atribuon presidentit kompetencën për shpalljen e zgjedhjeve, ndërsa neni 90 përcakton se ushtruesi i detyrës së presidentit nuk mund ta mbajë këtë pozitë për më shumë se gjashtë muaj.

Pikërisht kjo përbën një nga çështjet që Haxhiu ka kërkuar të interpretohet nga Gjykata Kushtetuese.

“Kushtetuta këtë kompetencë ia njeh presidentit. Përcaktimi i autoritetit që mund ta ushtrojë atë në rrethanat e krijuara është një nga çështjet kryesore që ia kemi shtruar Gjykatës”, ka deklaruar Zyra e Presidentes.

Sipas institucionit, synimi është që të gjendet një zgjidhje në përputhje me Kushtetutën, e cila do të mundësonte shpalljen dhe mbajtjen e zgjedhjeve brenda afateve të përcaktuara.

Të fundit