Flash News

Rajoni

Benzina kalon 2 euro, paralajmërohet tjetër rritje në shtator në Greqi

Çmimet e karburanteve në Greqi kanë kaluar tashmë nivelin e 2 eurove për litër, ndërsa sinjalet nga tregu paralajmërojnë një tjetër rritje gjatë ditëve në vijim.

Sipas të dhënave të fundit, një litër benzinë pa plumb shitet mesatarisht në vend me 2.01 euro, ndërsa çmimi mesatar i naftës ka arritur në 2.02 euro.

Megjithatë, kjo mund të mos jetë vlera përfundimtare. Përfaqësuesit e sektorit të karburanteve bëjnë me dije se gjatë javës së fundit çmimet nga rafineritë janë rritur me rreth 11-12 cent për naftën dhe 6-7 cent për benzinën. Një pjesë e kësaj rritjeje ende nuk është reflektuar te konsumatorët dhe pritet të shfaqet në pompa në ditët e ardhshme.

Shqetësimi kryesor lidhet me 1 shtatorin, kur përfundojnë masat aktuale të mbështetjes së qeverisë për karburantet. Nëse subvencionet nuk zgjaten, Federata e Shitësve të Karburanteve paralajmëron se benzina mund të arrijë deri në 2.20 euro për litër, ndërsa nafta në 2.25 euro.

Shtrenjtimi i karburanteve pritet të rëndojë më tej buxhetet e familjeve greke, në një kohë kur kostoja e jetesës mbetet e lartë. Inflacioni në vend arriti në 3.4% në korrik, ndërsa rritja e kostove të energjisë dhe shërbimeve vijon të ushtrojë presion mbi konsumatorët.

Efekti nuk kufizohet vetëm te drejtuesit e automjeteve. Një rritje e çmimit të naftës mund të shtojë kostot e transportit dhe të ndikojë më pas edhe në çmimet e ushqimeve dhe produkteve të tjera.

Qeveria greke po shqyrton mundësinë e zgjatjes së subvencionit për naftën edhe pas përfundimit të gushtit. Ndërkohë, vëmendja është përqendruar te Panairi Ndërkombëtar i Selanikut, ku kryeministri Kyriakos Mitsotakis pritet të prezantojë në fillim të shtatorit një paketë të re masash për familjet, pensionistët, shtresën e mesme dhe bizneset e vogla.

Të fundit