Flash News

Kosova

Asnjë kundër, Kuvendi i Kosovës miraton projektligjin për Dhomat e Specializuara

Asnjë kundër, Kuvendi i Kosovës miraton projektligjin për

Kuvendi i Kosovës ka miratuar projektligjin e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Projektligji mori 91 vota pro, ndërsa nuk pati asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.

Nisma e PDK-së ishte miratuar më herët në parim nga Komisioni për Legjislacion, i cili e kishte mbështetur projektligjin në mënyrë unanime.

Pas votimit , projektligji do të shqyrtohet nga komisionet përkatëse, ku do të analizohet nen për nen. Komisionet mund të propozojnë amendamente dhe më pas do të përgatisin raportin me rekomandimet për Kuvendin.

Projektligji do të rikthehet në seancë plenare së bashku me amendamentet e propozuara dhe raportin e komisionit. Në këtë fazë do të zhvillohet shqyrtimi përfundimtar dhe do të hidhet në votim miratimi i tij.

Sipas Rregullores së Kuvendit, amendamente të reja nuk mund të propozohen gjatë seancës së leximit të dytë.

Projektligji i PDK-së u dorëzua pak ditë pas shpalljes së aktgjykimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Më 16 shtator, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet dhe Rexhep Selimi me 13 vjet, për krime lufte. Të katër ish-krerët u shpallën të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.

Ekipet mbrojtëse kanë bërë të ditur se synojnë ta apelojnë vendimin për akuzat për krime lufte.

Të fundit