Flash News

Rajoni

Arsenali në Zubin Potok, Policia: Mund të jetë përdorur në vrasjet e “Grupit të Intelektualëve”

image (3).webp

Armët e gjetura dhe të konfiskuara nga Policia e Kosovës në fshatrat përreth Kalludrës së Zubin Potokut mund të hedhin dritë edhe mbi krime të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, ka konfirmuar se institucionet kanë dyshime se një pjesë e këtij armatimi mund të jetë përdorur në rastin e vrasjes masive të njohur si “Grupi i Intelektualëve”.

Hoxha foli për këtë mundësi pas pyetjeve të gazetarëve gjatë konferencës ku u prezantua arsenali i sekuestruar. Ai sqaroi se lidhja me masakrën nuk është ende e provuar dhe se përgjigjja përfundimtare do të jepet vetëm pas ekzaminimit të armëve.

Sipas tij, të gjitha armët e sekuestruara konsiderohen të paligjshme dhe do t’i nënshtrohen analizave individuale. Në rast nevoje, ekzaminimet mund të kryhen edhe në laboratorë jashtë Kosovës.

“Do të ekzaminohen një nga një derisa të vijmë te rezultati konkret”, deklaroi drejtori i Policisë së Kosovës.

Çështja merr rëndësi të veçantë pasi armatimi është zbuluar në një zonë ku gjatë javëve të fundit janë evidentuar edhe tri lokacione me varreza masive, ku janë gjetur mbetje mortore të 23 personave.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka urdhëruar që armatimi të dërgohet menjëherë në Agjencinë e Forenzikës për ekzaminim.

Ai tha se rezultatet shkencore do të jenë baza për hapat e mëtejshëm të hetimit dhe, nëse provohet lidhja me krimet e luftës, për ndjekjen e personave përgjegjës.

 

Të fundit