Flash News

Ditari i Opozitës

Algoritmi i naftës dhe algoritmi i Edi Ramës

 

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar për rritjen e çmimit të naftës në Shqipëri, duke akuzuar qeverinë se po përfiton nga taksat e larta që paguajnë qytetarët.

Përmes një reagimi, Bardhi u shpreh se çmimi i një litri naftë ka arritur deri në 219 lekë, ndërsa sipas tij rreth 100 lekë të këtij çmimi përbëhen nga taksa.

“Nga 219 lekë që paguan qytetari, rreth 100 lekë janë taksa: akcizë, taksë qarkullimi, taksë karboni dhe TVSH.”
Bardhi argumenton se sa më shumë rritet çmimi i karburantit, aq më shumë të ardhura arkëton qeveria nga taksat, ndërsa qytetarëve nuk u kthehet kjo e ardhur shtesë.

Sipas tij, rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare nuk mund të përdoret si justifikim, pasi vende të tjera të rajonit kanë ndërhyrë për të amortizuar efektin tek konsumatorët.

“Që çmimet janë rritur kudo, nuk është justifikim. Pse nafta është më e lirë kudo në rajon? Sepse qeveritë atje kanë përdorur mekanizma që amortizojnë rritjen ose e kufizojnë atë.”
Kreu i grupit parlamentar të PD-së kujtoi gjithashtu propozimin e opozitës, të bërë tre muaj më parë, për uljen e çmimit të karburanteve përmes reduktimit të taksës së qarkullimit dhe krijimit të një mekanizmi automatik për kthimin e të ardhurave shtesë nga TVSH-ja tek qytetarët.

Bardhi tha se ky propozim u rrëzua nga mazhoranca, ndërsa kërkoi që qeveria të ndërhyjë për të lehtësuar barrën mbi qytetarët.

“Jemi ende në kohë që algoritmi i naftës të ndryshojë dhe propozimi i refuzuar tre muaj më parë të vihet në punë. Por për ta bërë këtë, duhet të ndryshojmë algoritmin kryesor: t’i bëjmë naftën Edi Ramës.”
Në reagimin e tij, Bardhi përdori edhe një lojë fjalësh me platformën “Besa” të prezantuar së fundmi nga kryeministri Edi Rama, duke e lidhur me situatën e çmimeve të karburanteve.

“B — BESIM? Prit sa të shkojë 220 lekë/litër. E — EMPATI? Zero ulje taksash. S — SHËRBIM? 219 lekë/litër. A — ANGAZHIM? Më shumë fitime për Qeverinë.”

REAGIM I KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PD, GAZMENT BARDHI

ALGORITMI I NAFTËS DHE ALGORITMI I EDI RAMËS

Edi Rama ka disa algoritme që funksionojnë prej vitesh në qeverisjen e tij.

Algoritmi i korrupsionit.
Algoritmi i krimit të organizuar.
Algoritmi i pastrimit të parave.
Algoritmi i taksave.

Të gjitha bashkë formojnë algoritmin e Edi Ramës: qytetarët paguajnë gjithnjë e më shumë dhe marrin gjithnjë e më pak nga Qeveria.

Për ta kuptuar këtë algoritëm nuk na duhen teoritë e askujt. Mjafton të shohësh tabelën e çmimeve në pikën më të afërt të karburantit: Deri në 219 lekë për 1 litër naftë.

Algoritmi i naftës është fare i thjeshtë.

Nga 219 lekë që paguan qytetari, rreth 100 lekë janë taksa: akcizë, taksë qarkullimi, taksë karboni dhe TVSH.

Kur rritet çmimi, qytetari paguan më shumë. Kur qytetari paguan më shumë, Qeveria arkëton më shumë. Dhe ndërsa Qeveria përfiton nga rritja e çmimit, ajo nuk kthen asgjë tek qytetari. 

Pse Qeveria ka bërë këtë zgjedhje?

Sepse prioritet për Edi Ramën nuk është algoritmi i mirëqenies. Me milionat e shtuara që arkëton nga rritja e çmimit të naftës, financon algoritmin e korrupsionit, përmes tenderave me vlera 2–3 herë më të larta, siç kemi parë në dosjet e Belinda Ballukut dhe Ergys Agasit.

Që çmimet janë rritur kudo, nuk është justifikim. Pse nafta është më e lirë kudo në rajon? Sepse qeveritë atje kanë përdorur mekanizma që amortizojnë rritjen ose e kufizojnë atë. Në Shqipëri, Edi Rama funksionon me algoritmin e tij: pret që nafta të shkojë 220 lekë për litër dhe pastaj të ndërhyjë tek akciza.

B — BESIM? Prit sa të shkojë 220 lekë/litër.
E — EMPATI? Zero ulje taksash.
S — SHËRBIM? 219 lekë/litër.
A — ANGAZHIM? Më shumë fitime për Qeverinë.

Tre muaj më parë, Edi Rama refuzoi me votë propozimin e Partisë Demokratike për uljen e çmimit të karburanteve përmes dy mekanizmave: 
1. Ulja e taksës së qarkullimit 
2. Një mekanizëm automatik që, kur shteti mbledh më shumë TVSH për shkak të rritjes së çmimit të karburantit, këtë të ardhur shtesë t’ua kthejë qytetarëve përmes uljes së akcizës.

Jemi ende në kohë që algoritmi i naftës të ndryshojë dhe propozimi i refuzuar tre muaj më parë të vihet në punë. Por për ta bërë këtë, duhet të ndryshojmë algoritmin kryesor: t’i bëjmë naftën Edi Ramës.

Të fundit