Flash News

Rajoni

Aksident tragjik në Athinë, tre të rinj nga Fieri humbin jetën, dy të tjerë plagosen

Një aksident i rëndë ka tronditur Glyfadën në Athinë në orët e para të së enjtes, ku tre të rinj nga Fieri kanë humbur jetën dhe dy të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Të rinjtë po udhëtonin në të njëjtin automjet, i cili për arsye ende të paqarta ka dalë nga rruga dhe është përplasur me murin rrethues të një hoteli.

Sipas mediave greke, paraprakisht dyshohet se makina është përplasur fillimisht me një tjetër automjet dhe më pas drejtuesi ka humbur kontrollin, duke përfunduar jashtë rruge.

Mes viktimave janë identifikuar një 26-vjeçar dhe një 23-vjeçar, ndërsa për personin e tretë që ka humbur jetën ende nuk është bërë i ditur identiteti. Dy të mbijetuarit e aksidentit janë 18-vjeçarë dhe kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

Ndërkohë, policia greke po heton edhe një tjetër pistë lidhur me shkaqet e aksidentit. Dyshohet se të rinjtë mund të kenë qenë duke regjistruar një video për TikTok në momentin e përplasjes.

Hetuesit po verifikojnë nëse në automjet apo në telefonat e të rinjve ka pamje që mund të kenë dokumentuar momentet para ose gjatë aksidentit.

Të fundit