Flash News

POLITIKOFF

Dua Lipa mund të bëhet rezidente në Milano, arsyeja lidhet edhe me taksat

Dua Lipa mund të bëhet rezidente në Milano, arsyeja lidhet edhe

Dua Lipa mund të nisë një kapitull të ri në Itali, duke zhvendosur rezidencën e saj nga Londra në Milano në fillim të vitit 2027.

Sipas gazetës italiane Corriere della Sera, këngëtarja shqiptare ka nisur procedurat për transferimin e rezidencës, një lëvizje që, përveçse lidhet me tërheqjen e saj ndaj qytetit italian, mund të ketë edhe përfitime fiskale.

Dua Lipa është parë gjithnjë e më e lidhur me Milanon gjatë muajve të fundit dhe ka ndarë edhe fotografi nga qyteti në rrjetet sociale. “Milan… such a cool place”, shkroi ajo në një prej postimeve të saj.

Megjithatë, sipas medias italiane, përtej modës, artit dhe stilit të jetesës, një tjetër faktor mund të ndikojë në zgjedhjen e saj. Italia ka një regjim të posaçëm fiskal për personat me të ardhura të larta që transferojnë rezidencën në vend, duke parashikuar, nëse plotësohen kushtet, një taksë fikse vjetore prej 300 mijë eurosh për të ardhurat me burim jashtë Italisë.

Sipas Corriere della Sera, procedurat e mundshme të këngëtares mund të përfundojnë në fillim të vitit të ardhshëm. Përfaqësuesja e saj për shtyp nuk i është përgjigjur kërkesës së gazetës për koment.

Interesi i Dua Lipës për Italinë nuk është i ri. Milano është kthyer vitet e fundit në një destinacion të preferuar për persona të njohur dhe individë me të ardhura të larta, të tërhequr nga kombinimi i stilit të jetesës dhe lehtësive fiskale.

Sipas të dhënave të cituara nga gazeta italiane, në fund të vitit 2025 rreth 2,500 persona përfitonin nga regjimi fiskal për rezidentët e rinj në Itali.

Ndërkohë, kompania britanike e lidhur me aktivitetin e këngëtares, Radical Ltd, raportoi të ardhura prej 23.3 milionë paundësh gjatë vitit 2024.

Deri tani, Dua Lipa nuk e ka konfirmuar publikisht zhvendosjen. Nëse plani realizohet, Milano mund të bëhet baza e saj e re në Evropë, duke e afruar edhe më shumë këngëtaren me një prej qendrave kryesore të modës dhe kulturës në kontinent.

Të fundit