Flash News

OP-ED

Vlora apo Rama, kush është më afër Gysit?

Vlora apo Rama, kush është më afër Gysit?

Armand Maho

Fjalët se ka një lidhje sentimentale mes Vlora Hysenit dhe Ergys Agasit më erdhën rastësisht, disa ditë pas daljes së skandalit të videove ku shihej Mirlinda Karçanaj në zyrën e koordinatorit të Ramës. Bashkëbiseduesi im u shpreh se në ato video ishte dhe shefja e SHISH-it, në momente mjaft komprometuese. Asokohe kishte shumë fjalë për ato video dhe për shumë personazhe të politikës.

“E si mundet shefja e shërbimeve të ulë veten në këto nivele?”, i thashë.

“Këtë e di e gjithë Tirana, por ti qenke vonë me lajmet.”

Në fakt, habia dhe mosbesimi im ishin të drejta, ashtu siç duhen të jenë. Jo se më interesonte ç’bënte Vlora në jetën personale, por mendja s’ma rrokte kurrë se shefja e shërbimeve sekrete do ta çonte veten deri në këtë pikë.

Këtë thashethem për Vlora Hysenin nuk e besova kurrë, deri dje, kur u bënë publike mesazhet mes tyre.

Ergys Agasi ia kishte ulur kokën deri në atë pikë shërbimeve sekrete, sa e trajtonte kreun e tyre ashtu siç trajtohen njerëzit e bezdisur që na shqetësojnë në telefon.

Unë nuk e di dhe s’kam nga ta di lidhjen mes Gys Agasit dhe Vlora Hysenit. Zëra të ngjashëm thonë se njohja e tyre i ka rrënjët kur ajo filloi si këshilltare sigurie pranë Ramës. Të tjerë shkojnë dhe më herët, në kohën kur Hysenit i duhej nënshtetësia shqiptare dhe Agasi e ka ndihmuar. Madje, ka nga ata që besojnë se edhe për në krye të SHISH-it ka shkuar me propozimin e Agasit, pas një prej atyre darkave ku pihej vera 33 mijë euro, pa dyshim duke marrë dhe bekimin e Vuçiçit.

Hajde merre vesh.

Por diçka duket se luhet në këtë histori. Ato përgjime nuk do të kishin dalë pa hyqmin e Ramës. Nxitimi i tij për të shkarkuar Vlora Hysenin, bashkë me ato fjalët pa bereqet se qëndrimi i tij për drejtësinë është ai i ditës së parë të reformës, e tërrci e vërrci me ato pordhët e tij të sheqerosura tregojnë një hall të madh!

Shkarkimi i menjëhershëm i Hysenit është vite dritë larg me qëndrimin që mbajti për Ballukun. Kjo lojë me dy standarde duket që fsheh diçka më të rëndë, duke u rrekur të mbyllet si çështje personale, histori sentimentale, të dy individëve që hanë kumbulla e dardha pas krahëve të një njeriu të “ndershëm” si Edi Rama.

Por Edi Rama nuk është viktima e kësaj historie. Ai është arkitekti, i cili ka hapur një çështje për të varrosur përfundimisht një tjetër, që është përfshirja e tij në aferat korruptive dhe personale me Ergys Agasin, të cilat ishin dhe më të afërta se ato të Vlora Hysenit.

Do të ishte në nderin e drejtësisë që SPAK-u të mos binte në këtë lloj bataku që tenton të shpëtojë Ramën nga përfshirja në skandal. Kjo histori, e cila ka baltosur keq, në radhë të parë, vendin, nuk duhet të mbyllet me kaq.

Drejtësia ia ka larë “borxhin” Edi Ramës, në rast se i ka pasur. Tashmë është koha që borxhin drejtësia t’ua lajë shqiptarëve.

Të fundit