Flash News

OP-ED

Kutia e panVlorës

Kutia e panVlorës

Alfred Lela

Në fillim më duhet të shpjegoj titullin, një lojë me togfjalëshin ‘kutia e Pandorës’, e cila në mitologjinë greke përfaqëson joshjen dhe ngutjen, pak a shumë si molla e Evës dhe Adamit në Bibël. Sipas mitit, Pandora, gruaja e Epimeteut, vëllait të Prometeut, hapi një kuti të të shoqit dhe nga ajo dolën gjithë te zezat dhe mbeti vetëm shpresa.

Duke bërë një paralelizëm me kontekstin shqiptar, masën e ndalimit për shefen e Shërbimit të inteligjencës, mund të thuhet se, nga kutia kanë dalë gjithë të këqijat tashmë, dhe kjo e Vlora Hysenit të ShISh është më e fundit prej tyre.

A ka mbetur shpresë në kuti?

Në rekord kemi disa paralajmërime të Sali Berishës, disa prej tyre të hershme, që në kohën e dritares mbi Rrugën e Shpresës, që identifikonin Vlora Hysenin si një problem të sigurisë kombëtare, jo si gardiane.

Me denoncime, bazuar mbi informacione të dorës së parë ose jo, Sali Berisha i foli një veshi të shurdhër për mbi tre vjet. Sot SPAK ka lëvizur, me gjasë edhe pas arrestimit të Ergys Agasit dhe pas të dhënave, me sa duket të shumëllojta, gjetur në materialet e sekuestruara në pronat e tij.

Ajo që ka ndodhur shkon shumë më thellë se një spy game dhe nuk duhet parë me habinë dhe kureshtjen e një karuseli kronikash të portaleve dhe debateve televizive të mbrëmjes. Shefja e shërbimit inteligjenet, pra e institucionit që mbikqyr sigurinë kombëtare dhe kërcënuesit e saj, është para një mase ligjore, e dyshuar për lidhje me një tip që, në dosjet e drejësisë del si koordinator bandash dhe me plotëfuqi në disa institucione shtetërore.

A mos është tjetër gjë të kesh akses te AKSh-i dhe Linda e tij, dhe një tjetër të kesh fuqi te ShISh. Në fakt, të dyja përfundojnë në të njëjtën kuti, siguria kombëtare, sekretet shtetërore, të dhënat e qytetarëve shqiptarë a të huaj, privatësia e tyre.

Ajo çka e bën alarmant kërcënimin e kësaj radhe është se të dy personazhet, Vlora Hyseni dhe Ergys Agasi janë benjaminë, të përzgjedhur të kryeministrit Rama. Është e habitshme deri në rrëqethje se si këtij njeriu, të gjithë bashkëpunëtorët e ngushtë, i dalin të kompromentuar. Të gjithë ‘i hanë kumbulla pas shpine’, madje edhe shefja e shërbimit inteligjent, që duhet ta ruante Kryeministrin nga ata që mund t’i bëjnë gjëra të ndaluara pas shpine.

Cila provë duhet për ta pranuar se nuk është Vlora, Ergysi, Bela, Iliri e të tjerë, por vetë Rama ai që e ka hapur kutinë e të zezave. Në të kish mbetur vetëm shpresa se, një institucion, qoftë një i vetëm, do të kishte tepruar nga marrëzia e rrëmbimit të gjithçkaje, për të ruajtur sadopak, sadokudo, njëfarë balance që i duhet një demokracie për t’u quajtur e tillë. ShISh mund të kishte qenë një prej tyre. Sot e morëm përgjigjen.

Kutia, jo vetëm është shqyer, por prej saj ka ikur edhe shpresa.

Spiunazh apo erotikë, tundim parash apo fuqie, kutia e panVlorës është hapur dhe aty ka mbetur vetëm Edi Rama.

Jo si shpresë, por si e vetmja pengesë. 

Të fundit