Flash News

OP-ED

Kodi i Procedurës Penale dhe Rama në gjurmët e Enver Hoxhës: “Pse ligjet tona do të na ndalojnë?”

Kodi i Procedurës Penale dhe Rama në gjurmët e Enver Hoxhës:

Gent Gaba

Edi Rama ka pësuar një metamorfozë në artikulimin publik mbi drejtësinë. Qysh pas rënies së Veliajt në rrjetën e prokurorëve, si peshku i radhës nga tufa aspak e vogël e socialistëve, gjuha e kryeministrit ka lënë mënjanë fjalët e ëmbla prej ashiku ndaj drejtësisë së re, për të cilën nuk u lodh kurrë së luajturi rolin e Penelopës në sytë e shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve, duke zhbërë natën punën që bëhej ditën për reformimin e saj me taksa amerikane dhe europiane. Sot, si i fundit i mohikanëve me të cilët erdhi në pushtet, i rrethuar nga skandalet dhe keqbërjet me gjënë publike, ka kaluar nga refreni agresiv “burg, burg, burg” te roli i garantistit të të drejtave procedurale.

Jo sepse zbuloi papritur humanizmin juridik, por sepse drejtësia tashmë e ka të pamundur të mos shohë ujkun atje ku e kanë çuar gjurmët e Ballukut, Karçanajt, Agasit, Yeffetit etj.

Pikërisht tani Rama zbulon se shteti mund të jetë represiv, se paraburgimi mund të jetë i tepruar dhe se individi duhet mbrojtur nga fuqia e Prokurorisë.

Drafti prej 106 nenesh për Kodin e Procedurës Penale, paraqitet si “Paketa e Garancive Procedurale”, i pakonsultuar me aktorët vendas, por i paketuar me përtaci me patinën e ekspertëve të huaj dhe prestigjiozë, vendos pengesa për këqyrjen e telefonave, kufizon përgjimet, mundëson kundërshtimin prapaveprues të afateve hetimore dhe kërkon që zyrtarët të njoftohen pesë ditë përpara vendosjes së disa masave të sigurimit apo pezullimit nga detyra.

Një hile që ngjason me atë të Odiseut në shpellën e Ciklopit, përmes së cilës kërkon të kalojë poshtë deleve, lexo qytetarëve, veten dhe skotën e tij, të rënë në mëkate të tmerrshme në raport me drejtësinë.

Me pak fjalë, një kastrim i SPAK-ut, që e bën Ramën jo vetëm të duket hipokrit, por edhe të shfaqë në publik frikën që e ka kapur nga bëmat dhe gjëmat që kundërmojnë brenda dhe jashtë vendit; sepse Rama nuk mund të jetë njëherazi autori i politikës së burgut për qytetarët dhe kundërshtarët, si dhe apostulli i lirive procedurale për funksionarët e tij. Nuk mund të ndërtojë për vite shtetin ndëshkues dhe të kërkojë çmontimin e tij vetëm kur porta mund të hapet edhe për të.

Ironikisht, kjo marrëdhënie elastike me ligjin kujton një mendësi të vjetër që gëzojnë kryetarët e partisë që, në vitin 1991, ndryshoi emrin nga PPSH në PS. Në fjalimin e 6 shkurtit 1967, që i hapi rrugën fushatës së dhunshme kundër fesë, Enver Hoxha pyeste në mënyrë retorike: “Pse, ligjet tona do të na ndalojnë neve…?”.

Kështu tingëllon sot Edi Rama. Pikërisht kur feja e “drejtësisë së re” po lëkundet tek ai që e cilësonte veten si profetin e saj, del në pah filozofia e pushtetit absolut, sipas së cilës ligji respektohet për aq kohë sa i shërben udhëheqësit; kur fillon ta kufizojë, ai rishkruhet.

Dikur ligji nuk duhej ta pengonte revolucionin. Sot, procedura nuk duhet të lejohet të afrohet shumë pranë pushtetit. Në të dyja rastet, sundimtari nuk e pranon ligjin si kufi mbi veten, por si vegël që mund ta mprehë kundër të tjerëve dhe ta topitë kur tehu kthehet nga ai.

Rama e deshi drejtësinë kur ajo ishte shpatë në dorën e pushtetit; tani që po i rri si shpata e Damokleut mbi krye, kërkon ta rifusë në mill.

Dhe pyetja që fshihet pas paketës së re nuk është se si do të mbrohen të drejtat e qytetarëve, por një tjetër: pse ligjet tona duhet ta lejojnë drejtësinë të mbërrijë deri te ne?

Rama e ka përgjigjen gati, fiks si ajo e kryetarit të dikurshëm të partisë që sot drejton, por a do të jenë gati qytetarët shqiptarë dhe partnerët, që e mbrojtën dhe financuan drejtësinë të thonë fjalën e tyre për të vetmin instrument që po çel dhe mbyll kapituj në rrugëtimin tonë europian?

Të fundit