Flash News

OP-ED

Dënimi që rihapi luftën e Kosovës

lela new edit.jpg

Alfred Lela

Hashim Thaçi ra sot si dëshmor i një lufte që në front ka përfunduar dy dekada më parë, por ka vijuar, me sa duket jetën e pandërprerë në prapaskenat e mëdha të përplasjeve gjeopolitike botërore.

Dënimi i tij, bashkë me Veselin, Krasniqin dhe Selimin, kryen disa tejkalime spektakolare, më i rëndi ndër të cilët është barabitja e viktimave me xhelatët, e luftëtarëve të lirisë me mohuesit e saj, pësuesit e gjenocidit me autorët e tij.

Të shpallur fajtorë dhe të persekutuar, fillimisht për Shtëpinë e verdhë, një fiksion të ngjashmit e të cilit i ka krijuar vetëm kompromati i famshëm rus, që ka vepruar në Perëndim për dekadat e Luftës së Ftohtë dhe ende vijon, katër krerët e UÇK u dënuan edhe zyrtarisht, edhe pse për më pak se akuzat për krime lufte, edhe pse për më pak se sa u nisën në fillim prokurorët e Gjykatës Speciale.

Ironitë e helmatisura janë dy. Hashim Thaçi u bë proponent kryesor i së njëjtës gjykatë speciale që sot i shërbeu gijotinën, duke u bërë lloji i politikanit që e rregullon shtëpinë sipas shijeve të mikut, dhe e humbet lirinë pikërisht se ka dashur ta ndajë rregullimin e shtëpisë, me ata në krah të të cilëve ka luftuar për lirinë e popullit të vet.

Edhe më e thellë është ironia e dënimit të tij pak pasi Ratko Mlladiç, një kriminel i vërtetë lufte, i la qelitë e Hagës nga dera e morgut, dhe u ringjall në funeralin thuajse shtetëror, në nderimet pothuaj qeveritare, në ceremonialet pan-serbe që e bënë kriminelin hero.

Dënimi i Thaçit është një telegram ngushëllimi për Vuçiç dhe serbët, për mitologjinë e tyre të pandërprerë të persekutimit imagjinar.

Thaçi me komandantët e tjerë, duket sikur u dënuan edhe si përfaqësues të një populli si ai shqiptar, liria e të cilit gjithmonë është diskutuar, vazhdimisht ndërprerë, rrallëherë jetuar, përherë në zgrip të historisë.

Ajo që Kadare konsideronte si shekulli shqiptar, duket se u fundos sot me dënimin e krerëve të një lufte për liri, të një populli që mund të mbetet pa alternativa, dhe t’i shohë ato te armiqtë e lirisë. Çka do përbënte një colpo di grazia për fatet e një kombi të lashtë, rrënjës dhe antropologjikisht europian.

Si në një tragjedi të përmbysur greke, Hashim Thaçi i besoi dhuratës së huaj, ndryshe nga kundërshtari i tij politik Albin Kurti, që luajti Kasandrën, e parashikoi fatin e tij, dhe sot ka pushtetin por edhe fuqinë e orakullit që i dha ai parashikim. 

Sido që të jetë, parashikime apo rastësi, hapësira shqiptare, në kuptimin politik dhe historik, u ngushtua sot. Serbët dhe shqiptarët, në anë të kundërta të luftës, janë sot dy popuj njëlloj të keqkuptuar, dhe kjo vetëm do t’i cysë brinat e të dy palëve që të vijojnë në këtë keqkuptim.

Hija e trashë e këtij keqkuptimi, ku agresori historik dhe preja historike nisen drej shekujve që do vijnë me një luftë, në sy dhe në shpinë, që ua riktheu të pambyllur, arbitri i dikurshëm, është më shumë politikë se sa mund të mbajë ky gadishull. I cili, në thënien e Churchill-it, prodhon më shumë histori se sa mund të konsumojë.

Haga, një qytet i ftohtë dhe cinik nordik, riktheu një luftë të ftohtë që do të vijojë duke u nxehur si psy ops, si flakërima botesh në rrjete sociale, si inkursione të armatosura ndërkufitare, si skërmitje në stadiume dhe forume ndërkombëtare, si një paqe që e kërkon luftën, si një Versajë që prodhon Bulge-n, së një betejë që ëndërron të bëhet, jo për t’i dhënë fund armikut, por mitit të tij.

Vendimi i Hagës mban në këmbë mitologjinë serbe, dhe beteja e papërmbyllur e Fushës së Mëllenjave rikthehet edhe njëherë në skenë.

Me të njëjtën gjasë që luftën, në fund, e fiton një sulltan.

Të fundit