Flash News

E SHPJEGUAR

Ç'do të ketë në tavolinën e ambasadorit të ri amerikan? Nga skandali i SHISH te protestat dhe krimi

Screenshot 2026-09-26 184542.png

Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Eric Wendt, ka nisur zyrtarisht detyrën në Tiranë.

Gjenerallejtënant në pension i Forcave Speciale amerikane, me një karrierë të gjatë në NATO dhe në strukturat e sigurisë, Wendt mbërrin në Shqipëri në një moment kur në vend janë hapur disa prej debateve më të forta politike dhe institucionale.

eric-wendt-bajram-begaj.jpg

Në takimin e parë zyrtar me Presidentin Bajram Begaj, Wendt paraqiti letrat kredenciale, ndërsa Ambasada Amerikane bëri të ditur se në fokus të diskutimeve ishin partneriteti mes dy vendeve, bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, rritja ekonomike dhe lufta kundër grupeve kriminale transnacionale.

Këto janë edhe disa prej fushave ku pritet të përqendrohet mandati i tij, por realiteti që gjen ambasadori i ri në Tiranë është shumë më i gjerë. Në tryezë janë çështje të sigurisë kombëtare, drejtësisë, korrupsionit, protestave politike dhe marrëdhënieve me administratën amerikane.

007d67b1-ee62-411e-826b-a4750772e218.jpeg

Kriza rreth SHISH dhe çështja Vlora Hyseni
Një prej dosjeve më të ndjeshme që Wendt gjen në Tiranë është ajo që lidhet me ish-drejtoreshën e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni.

1790157742_vlorahyseniergysaagasi.jpg

Hyseni është nën hetim nga SPAK dhe ndaj saj është caktuar masa e “arrestit në shtëpi”, ndërsa çështja ka sjellë një debat të fortë publik për funksionimin e institucioneve të sigurisë dhe mbrojtjen e informacionit të klasifikuar.

Për një ambasador që vjen në Tiranë pas më shumë se tri dekadash në strukturat amerikane të sigurisë dhe Forcave Speciale, zhvillimet rreth SHISH janë një çështje që prek drejtpërdrejt një prej fushave të bashkëpunimit mes dy vendeve.

Wendt ka një histori të gjatë në këtë sektor, pasi ka komanduar forcat e operacioneve speciale të NATO-s dhe gjatë karrierës së tij ka punuar edhe me njësi shqiptare të operacioneve speciale. Pikërisht për këtë arsye, profili i tij e bën sigurinë dhe bashkëpunimin ushtarak një prej fushave më të rëndësishme të mandatit të ri.

Protestat kundër qeverisë
Në një tjetër plan, ambasadori amerikan nis detyrën në një vend ku protestat kundër qeverisë janë bërë pjesë e përditshmërisë politike.

-640-0-1788856738xprotesta4-602.jpg

Tubimet e opozitës dhe qytetarëve kanë vijuar prej muajsh dhe kërkesa kryesore ka qenë largimi i kryeministrit Edi Rama. Protestat janë zhvilluar para Parlamentit dhe Kryeministrisë, ndërsa përplasjet me policinë kanë shtuar tensionet në disa prej tyre.

images (4).jpeg

Ndaj kjo është një tjetër pjesë e panoramës që gjen ambasadori i ri amerikan në kryeqytet edhe pse SHBA-ja ka qenë një prej aktorëve kryesorë ndërkombëtarë që ka ndjekur zhvillimet politike dhe institucionale në Shqipëri, ndaj mënyra se si do të evoluojë kjo klimë mbetet një prej çështjeve që do të shoqërojë mandatin e Wendt.

“Revolucioni i Flamingove” dhe projekti në Nartë
Një tjetër çështje që e lidh politikën shqiptare me SHBA-në është debati për projektin e zhvillimit në zonën e Zvërnecit dhe Nartës, i lidhur me Jared Kushner dhe Ivanka Trump.

-900-0-1781707543x719804346-27379120631705247-5223649824357115498-n-313.jpg

Ajo që nisi si protestë kundër projektit dhe shqetësimeve mjedisore është kthyer në një prej temave të protestave kundër qeverisë. Kundërshtarët e projektit kanë ngritur dyshime të vazheueshme për ndikimin në zonën e mbrojtur dhe procesin e vendimmarrjes, ndërsa qeveria e ka mbështetur projektin si një investim të rëndësishëm turistik.

Por, cështja merr një tjetër dimension për shkak të lidhjes së saj me familjen Trump, në një kohë kur në Shtëpinë e Bardhë është Donald Trump dhe ambasadori i ri amerikan është emëruar nga administrata e tij.

Kjo nuk do të thotë se projekti është një çështje e administratës amerikane, por është një prej ëeshtjeve  që do të jetë pjesë e klimës politike në të cilën Wendt nis detyrën.

SPAK dhe lufta kundër korrupsionit
Një tjetër dosje e rëndësishme është ajo e drejtësisë shqiptare dhe veçanërisht roli i SPAK.

Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit është kthyer në një prej institucioneve më të rëndësishme të jetës politike shqiptare, për shkak të hetimeve ndaj zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të niveleve të larta.

Grupet-kriminale.webp

Vetë Wendt, gjatë procesit të konfirmimit në Senatin amerikan, ka folur për rëndësinë e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe për bashkëpunimin e institucioneve shqiptare me agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit.

Balluku, imuniteti dhe vila në Palasë
Një tjetër dosje që do të jetë e vështirë të mos jetë pjesë e panoramës së re politike është ajo e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

SPAK e ka zgjeruar hetimin ndaj Ballukut dhe në shtator bëri publike të dhëna të reja që lidhen me një vilë në kompleksin “Green Coast” në Palasë. Sipas SPAK, prona rezulton të jetë në pronësi faktike të Ballukut, ndërsa është regjistruar në emër të ish-futbollistit Igli Tare. Prokuroria dyshon gjithashtu se investimet në vilë janë lidhur me një kompani që kishte fituar një tender publik, ndaj për këtë pasuri, GJKKO vendosi sekuestrimin preventiv.

Çështja e Ballukut nuk ndalet te prona sepse në qendër është edhe beteja për imunitetin e saj dhe kërkesa e SPAK drejtuar Kuvendit. Sipas raportimeve të fundit, SPAK pritet t'i drejtohet sërish Parlamentit për heqjen e imunitetit, ndërsa hetimi është zgjeruar në disa procedura prokurimi dhe akuza të tjera të lidhura me korrupsionin dhe pastrimin e parave.  

balluku-vila-6aaeab885be96.jpg

Krimi transnacional dhe siguria
Në deklaratën e parë pas takimit Wendt-Begaj, Ambasada Amerikane përmendi në mënyrë të drejtpërdrejtë luftën kundër grupeve kriminale transnacionale.

Screenshot 2026-09-26 165550.png

Mesazhi vjen në një kohë kur Shqipëria vazhdon të përballet me çështje që lidhen me trafikun e drogës, pastrimin e parave dhe aktivitetin e grupeve kriminale që shtrihen përtej kufijve.

Për Wendt, kjo nuk është një fushë e panjohur, pasi një pjesë e madhe e karrierës së tij është ndërtuar mbi operacionet speciale, sigurinë dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. 

Kështu, Eric Wendt e nis detyrën në një Shqipëri ku disa prej çështjeve më të rëndësishme janë të lidhura pikërisht me fushat që ai njeh më mirë: sigurinë, bashkëpunimin ndërkombëtar, luftën kundër krimit dhe marrëdhëniet ushtarake.

Megjithatë, se si do të përkthehen këto prioritete  dhe sa hapësirë do të zënë çështjet e drejtësisë, sigurisë dhe krizës politike shqiptare, mbetet për t'u parë gjatë mandatit të ri të ambasadorit amerikan në Tiranë./S.Gj-Politiko.al

Të fundit